Ti që ikën nga Shqipëria, ke ikur nga mend e kokës dhe..

Nëpër katundet shqiptare ka njerëz të urtë që kanë zgjedhur të bëjnë jetët e tyre modeste në qetësi. Mbjellin, korrin, mbarsin gratë, rritin çiliminjtë, falen në Kishë, në Xhami. Ti që ikën dhe jetën e përkorë të shqiptarëve shembullorë e përbuz, me siguri je nip greku.

Nëpër krahinat tona jetojnë dijetarë të veçuar që të mahnisin duke ta rrëfyer historinë fijepërpe. Jo si e tregojnë historianët burokratë, por si ka ardhur gojë më gojë nga lashtësia. Ti që ikën me të drejtë nuk beson se në Shqipëri ka dijetarë të heshtur. Sepse je stërlëng serbi.

Shqipëria ka peisazhe të magjishme që ja kanë ndezur shpirtin dhe trurin Bogdanit, Naimit, Nolit, Fishtës, Lasgushit, Kadaresë. Ti që ikën, atje ku vete, dridhesh e strukesh 24 orë me makthin e mbijetesës. Dhe nuk e di, e as kurrë nuk do ta dish, ku bie shpirti që merr zjarr, aq më pak cilët janë Ata që ndizen e digjen si qiriu.

Shqipëria ka Relieve danteske, dushknaja shekspiriane ku në muzg dalin magjistrica, zabele si ai ku mbeti i vdekur në duel Pushkini, që kur i sheh të mbushen sytë me lotë. Por ti që ikën, nga Bukuria e lotëve dhe lotët e Bukurisë s’ke asnjë haber.